E konceptuar si një Qendër Rinore dhe Kulturore, e ndërtuar me 20 Shkurt 2015 për të qenë një pikë referimi për të rinjtë, për të gjithë ata që duan që me talentin dhe prirjet e tyre të vendosin një gur në kolonat e Arkës, ne u bëmë Shtëpia e të gjithëve. ARKA është një program i dy organizatave jofitimprurëse, Acli Ipsia në Shqipëri, degë e organizatës IPSIA në Itali dhe Consulting and Development Partners, organizatë shqiptare. Qendra Rinore Arka si nga struktura por edhe nga administrimi e organizimi i aktiviteteve, është gjeneruese programesh mbështetëse dhe zhvilluese për të rinjtë të cilët duan që të zhvillojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Gama e aktiviteteve tona është e larmishme, duke krijuar hapësirë për çdo target grup që ka diçka për të ofruar.
Rreth nesh
Rreth Qendrës Rinore Arka


Ambjentet e saj ofrojnë një bar, i cili funksionon si një vend takimi dhe ndërveprimi social mes të rinjve, ofron një studio regjistrimi me kushte komode e bashkëkohore, ku grupet muzikore mund ta shfrytëzojnë për regjistrime të demos së parë apo për të bërë prova për performancat e tyre. Kjo studio do t’i shërbeje dhe radios sociale. E gjithë hapësira e barit është gjithashtu edhe një bibliotekë, e cila po pasurohet dita ditës, ku libërdashësit mund të vijnë e të gjejnë preferencat e tyre në gjuhë të ndryshme, një hapësirë e bollshme për aktivitete të ndryshme si konference, ekspozitë fotografish etj, me të gjitha kushtet bashkekohore. Gjithashtu ofrojmë shërbimin e hostelit, i cili është aktiv më së shumti gjatë sezonit të verës. Brenda këtyre ambjenteve ndodh ajo që është pashmangshmërisht e bukur dhe e jashtëzakonshme në zhvillimin e një qyteti, ka ngjarje, ka art, ka të rinj që realizojnë ëndrrat e tyre, ka libra që lexohen, poezi që shkruhen, mbrëmje që ndërmendin poetë e artistë të cilët kanë shënjuar ndryshim për vendin tonë.